Ekspozita “VaniceArt” çel Javën Kulturore Hungareze

Ekspozita “VaniceArt” çel Javën Kulturore Hungareze

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Java Kulturore e Hungarisë, nisi sot me një konferencë për mediet, e cila i parapriu aktivitetit të parë kulturor të kësaj jave, ekspozitës “VaniceArt” në Muzeun Historik Kombëtar.

Të pranishëm, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, ishin zëvendësambasadori i Hungarisë, drejtoresha e aktiviteteve të kësaj Jave, të përmbledhura nën emrin “Hungarissimo”, gazetarë e artdashës.

“VaniceArt”, solli punime të inteligjencës artificiale nga artisti inovator hungarez Péter Vanicsek. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Muzeun Kombëtar deri në ditën e fundit të javës kulturore. Arti i inteligjencës artificiale vjen për herë të parë në Shqipëri dhe sjell një teknologji të re për botën dhe një univers pa limit për fotografinë e rindërtuar.

Almira Emiri, drejtore e festivalit dhe pianiste shqiptare, që ka punuar dhe jetuar mbi 20 vite në Hungari, e cilëson eventin si një mundësi të artë për të sjellë sa më pranë dy vendet. Ky festival përkon me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Po sot është çelur një tjetër ekspozitë fotografike, e dy fotografëve të mirënjohur hungarezë, Endre Domonkos dhe Zoltán Marek.

Ekspozita është një mundësi unike për të dëshmuar përjetimin mbi Hungarinë të dy gjeneratave të artistëve në një hark kohor prej gjysmëshekulli.

Kjo ekspozitë do jetë e hapur përgjatë gjithë javës së kulturës hungareze, tek Pedonalja e Tiranës.

ata.gov.al

No Comments

Post A Comment

1 × three =

This site is registered on wpml.org as a development site.