Një nga programet e vazhdueshme më interesante të Festival Academy është ai i masterklasave tematike dhe instrumentale. Ato shërbejnë si procese interaktive për talentet e reja për të mësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mjeshtërit e artit dhe performuesit e fushave të ndryshme.
Fillesat e konceptit të masterklasave i atribuohen kompozitorit dhe pianistit brilant hungarez Franz Liszt. Ato vlerësohen gjerësisht si një nga mjetet më efektive për zhvillimin muzikor dhe artistik. Nisur nga ky fakt, Festival Academy sjell në mënyrë të vazhdueshme artistë, instrumentalistë, kompozitorë, autorë dhe profesorë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj. Ndërveprimi me këto personalitete të artit paraqet një eksperienca të jashtëzakonshme edukative për talentet shqiptare të të gjitha moshave.
Festival Academy hapi derën për një brez të ri studentësh të muzikës, instrumentalistësh, kritikësh arti dhe të rinjsh të tjerë të interesuar në art dhe kulturë – nëpërmjet organizimit të masterklasave në piano te Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
Këto masterklasa fantastike u realizuan nën drejtimin e pianistes së mirënjohur shqiptare Almira Emiri. Nisur nga eksperienca e saj në Austri, Itali, Gjermani, Hungari, Izrael dhe mjaft skena të tjera europiane, Profesore Emiri do të sjellë për të rinjtë një aktivitet tejet interesant dhe intensiv.
Almira Emiri ka mbaruar studimet e larta në Universitetin“Franc List” në Budapest dhe studimet Master në Universitetin e Arteve në Grac. Ndër të tjerë, ajo ka studiuar me Eugen Jakab, Annamária Bodoky-Krause dhe Milana Chernyavska, si dhe ka marrë pjesë në MasterClass të profesorëve të njohur Dimitrij Bashkirov, Imre Rohmann, Alexander Satz, Rudolf Kehrer e Vitaly Margulis. Aktiviteti i saj koncertal si pianiste soliste dhe në muzikë dhome është i pasur dhe i larmishëm.